
Ju duhet të dini tashmë që edhe ju duhet të bëni pyetje gjatë intervistës së punës. Nëse intervistuesi ju pyet nëse keni ndonjë pyetje, nuk mund të përgjigjeni se nuk keni, pasi do të krijoni përshtypjen sikur nuk keni shumë dëshirë për këtë punë. Gjithashtu duhet të keni kujdes me pyetjet që bëni, sepse janë disa pyetje që mund t’i lexoni më poshtë, të cilat ju shfaqin si të painteresuar për pozicionin ku po aplikoni.
Nuk duhet të pyesni: “Me çfarë merret kompania juaj?” Kur shkoni në një intervistë pune, minimumi që mund të bëni është të merrni disa informacione thelbësore për kompaninë, për shembull: funksioni i kompanisë, produktet/shërbimet që ajo ofron, tregu që synon dhe çdo informacion tjetër që ju mund të gjeni.
Mund të pyesni: “Kam vënë re që kompania juaj… [thoni një problem që mund të keni evidentuar gjatë kërkimeve tuaja]. Si keni menduar ta zgjidhni këtë problem? Ndoshta… [jepni sugjerimin tuaj për problemin]”.
Nuk duhet të pyesni: “Sa paguhet kjo punë”? Sigurisht që ju doni ta dini pagën e punës, por në intervistën e punës nuk duhet të shfaqni nevojat tuaja, duhet të dëgjoni nevojat e kompanisë.
Mund të pyesni: “Me kë do të më duhet të punoj”? Me anë të kësaj pyetjeje ju tregoni interes për kulturën dhe ambjentet e kompanisë.
Nuk duhet të pyesni: “Sa do të zgjasin pushimet?” Nuk mund të filloni një punë duke menduar për ditët pushim që do të keni gjatë saj. Pyetje të tjera që ju mund të bëni gjatë intervistës varen edhe nga kompania ku ju aplikoni. Nuk duhet të harroni që fokusi duhet të jetë në atë që ju ofroni dhe jo në atë që ju kërkoni.