Punëkërkues

Tipet e ndryshme të intervistave të punës (pjesa 2)

Punëkërkues

Testime dhe intervista në grup Shumë kompani organizojnë intervista grupi për arsye kohe dhe njëkohësisht për të vëzhguar kandidatët në një kontekst social, i cili është një faktor themelor nëse puna është në grup. Zakonisht thërriten disa kandidatë njëkohësisht të cilët përballen me dinamikat e grupit dhe paraqesin veten para të tjerëve. Në këto raste vlerësohet një sjellje e hapur: mund të mbyllni prezantimin tuaj duke theksuar se do të mirëprisnit çdo koment të kolegëve mbi çfarë keni thënë.

Intervista të fokusuara Vitet e fundit, disa kompani janë munduar të t’i bëjnë më efikase intervistat duke u fokusuar në raste apo analiza specifike, për të parë si do i menaxhojnë kandidatët. Gjatë testit, seleksionuesi është në gjendje të vlerësojë njohuritë tuaja mbi kulturën e përgjithshme, aftësitë e shitjeve apo kreativitetin. Në këtë rast nuk ekzistojnë përgjigje të gatshme, të drejta apo të gabuara, por seleksionuesi do vlerësojë arsyetimin, logjikën e përdorur dhe zgjidhjen e ofruar. Një intervistë e tillë ka për qëllim të kuptojë si arrini të analizoni një problem dhe si arsyetoni.

Qendrat e vlerësimeve Një qendër vlerësimi është një vend ku ju, personaliteti dhe aftësitë tuaja, analizohen në një mënyrë shumë të thelluar. Kjo i jep kompanisë një numër më të madh parametrash vlerësimi në krahasim me ato që ofrohen gjatë një interviste të zakonshme. Një aktivitet i tillë mund të zgjasë pak orë në ditë deri në dy ditë maksimumi, dhe përfshin teste mbi aftësitë dhe personalitetin, detyra grupi dhe analiza në sektorë të ndryshëm. Karakteristika kryesore është se kandidatët vëzhgohen nga disa persona gjatë kohës që kryejnë detyrat e caktuara. Vëzhguesit shikojnë si kandidatët i përshtaten grupit dhe bashkëpunojnë,  nëse marrin iniciativa dhe nëse kanë aftësi për të përmbushur detyrat e caktuara me efikasitet.

Test mbi personalitetin Gjithmonë e më shpesh gjatë intervistave kandidatëve u duhet të përballen me teste personaliteti. Një test i tillë ka për qëllim vëzhgimin i personalitetit të kandidatit në bazë të disa shkallëve vlerësimi.

Test mbi aftësitë dhe kompetencat Kohët e fundit është vënë re një rritje e përdorimit të testeve mbi aftësitë gjatë intervistave. Nuk janë shumë të përhapur, por përdoren më tepër gjatë intervistave për pozicione të veçanta ose manaxheriale, apo edhe për praktikantët. Ata vlerësojnë nivelin e kuptimit në fushën e numrave, aftësitë e arsyetimit logjik, aftësitë në nivel komunikimi apo në nivel gjuhësor. Shumë kompani duan të vlerësojnë gjithashtu IQ dhe EQ (kuocientin intelektiv dhe emotiv) tuajin. Ju sugjerojmë të kërkoni të zgjidhni këto lloj testesh në internet. Në këtë mënyrë, jo vetëm do të përmirësoheni, por do të ndiheni më të qetë dhe më pak nervozë.