
Panairet e punës janë vendet e duhura për të krijuar njohje, për të mësuar mbi kompani të ndryshme dhe ndoshta edhe për të gjetur një punë. Nëse keni planifikuar të jeni pjesë e pananireve të punës, këshillat më poshtë mund t’ju ndihmojnë të bëni më të mirën.
- Regjistrohuni
Hapi i parë është regjistrimi, ndoshta online, që duhet të bëni për të qënë pjesë e eventit. Pasi të bëni regjistrimin, ndoshta do t’ju japin një fletë konfirmimi dhe ky konfirmim mund t’ju kursejë pritjen në rradhë për të hyrë në panair.
- Bëni kërkime
Zakonisht kompanitë që do të jenë pjesë e panairit do t’i gjeni të listuara në njoftimin e nxjerrë për organizimin e panairit. Aty mund të gjeni edhe pozicionet e lira që ofron secila kompani. Shfrytëzojeni këtë avantazh dhe merrni informacione për kompanitë, për përshkrimet e pozicioneve që ato ofrojnë. Kjo ju jep kohë të mendoni se si mund ta reklamoni veten tuaj për të qenë kandidati i duhur për atë pozicion.
- Praktikohuni
Ju mund të përgatiteni për disa pyetje që mendoni se mund të jenë pjesë e një interviste për punë. Duke qenë më të përgatitur për përgjigjet që do të jepni, rriten mundësitë që të lini përshtypje të mira tek punëdhënësit.
- Merrni me vete CV-në
Duhet të keni me vete shumë kopje të CV-së suaj që të mund t’ua shpërndani punëdhënësve të mundshëm. Nëse keni bërë kërkime për kompanitë dhe pozicionet e lira, mund ta dini me saktësi numrin e CV-ve që ju duhen. Gjithsesi nëse do të jeni pjesë e një panairi të madh, merrni me vete 25-40 kopje të CV-së suaj.
- Biseda me punëdhënësit
Takimi i parë që mund të keni me një punëdhënës duhet të përfshijë një bisedë të shkurtër. Duhet të jetë e shkurtër sepse mund të ketë shumë punëkërkues që presin të komunikojnë me atë punëdhënës. Kjo bisedë mund të jetë jo-formale, por ajo mund t’ju sigurojë një mundësi për intervistë. Gjatë bisedës suaj mbani shënime të gjërave që thoni, në mënyrë që nëse do të ketë një takim për intervistë, të keni përputhje me gjërat që keni thënë më parë.
- Mbyllja e bisedës
Ndërkohë që jeni në fund të bisedës, mund të kërkoni një kartëvizitë të atij punëdhënësi ose ndoshta më vonë mund t’i dërgoni një email ose t’i bëni një telefonatë dhe kështu tregoni se sa shumë i interesuar jeni ju për pozicionin. Përshtypja në fund të bisedës gjithashtu mund t’ju ndihmojë të siguroni një takim për intervistë, kështu që kujdesuni që edhe mbyllja e bisedës të jetë me energji pozitive.