Punëkërkues

A na bën kafeja më produktivë në punë?

Punëkërkues Punëdhënës
Veprimi i parë që bëjnë shumë prej nesh me të mbërritur në zyrë është shijimi i një kafeje, e cila ndikon në zgjimin e trurit, në rritjen e energjive dhe produktivitetit. Apo e mendojmë ne kështu? Mos ndoshta është thjesht në kokën tonë? Mos është psikologjike? Le ta sqarojmë këtë dyshim një herë e mirë me ndihmën e ekspertëve të kafesë, të cilët kanë studiuar lidhjen mes kafeinës dhe produktivitetit. A na bën kafeja më produktivë? Sipas Robert Deans, themelues dhe drejtues i Klubit të Shijimit të Kafesë, kafeja ka ndikim pozitiv në kujtesë, humor, vëmendje dhe në energji. Natyrshëm të gjithë këta faktorë ndikojnë pozitivisht në produktivitetin në punë. Kafeina ka aftësinë të bllokojë disa receptorë të trurit të cilët sjellin përgjumjen, të nxisë prodhimin e adrenalinës dhe njëkohësisht të rrisë qarkullimin e gjakut. Ndërsa kërkimet nga John Hopkins tregojnë se ky raport nuk është kaq i qartë. Madje ai cilëson se njerëzit që thonë se janë më pak produktivë kur nuk pinë kafe, ka më shumë  të ngjarë të kenë krijuar varësi nga kafeja se sa të kenë realisht nevojë për kafe për të qenë produktivë. Por, sa kafe duhet të pimë gjatë një dite?
  • Për shumicën prej nesh duket se konsumimi i kafesë në një sasi të moderuar 2-3 kafe përgjatë gjithë ditës, është sasia e duhur.
  • Koha më e mirë për të pirë kafenë është disa orë pas zgjimit, sepse gjëja e parë që bën trupi ynë porsa zgjohet është prodhimi i kortizolit, i cili ndihmon në zgjim dhe efekti i kafesë në këtë rast do të ishte i zvogëluar. Kështu që prisni pak dhe pijeni më vonë kafenë për rezultate më të mira.
  • Përpiquni të krijoni një orar për pirjen e kafesë dhe midis 2 ose 3 kafeve që mund të pini gjatë ditës pini sa më shumë ujë dhe ushqehuni mirë.
Çfarë ndodh nëse konsumojmë shumë kafe? Konsumi i tepërt i kafesë mund të shkaktojë rezultate negative në jetën tuaj të përditshme. Ju mund të keni dhimbje koke dhe vështirësi përqendrimi nëse nuk merrni sasinë e kafesë me të cilën trupi juaj është mësuar. Pra, ju keni krijuar varësi ndaj kafesë. Cilat janë shenjat që tregojnë një konsumim të tepruar të kafesë ose një raport jo të mirë me të? Jeni nervoz, të lodhur, të pagjumë gjatë natës, ju mbahet goja kur flsini dhe mund të keni rrahje jo të zakonshme të zemrës. Nëse keni eksperiencë jo të mirë më kafenë, fare mirë ju mund ta zëvendësoni atë me opsione të tjera. Keni gjithmonë mundësinë e pirjes së një kafeje pa kafeinë, e cila ka treguar që gjithashtu rrit humorin dhe gjendjen e individëve që e pinë. A ka alternativa të tjera? Patjetër që po. Çaji i zi dhe çaji jeshil mund të jenë mjaft mirë zëvendësuesit e kafesë suaj me një sasi më të ulët të kafeinës. Por, nëse ju jeni të lidhur psikologjikisht dhe “e dashuroni” kafenë atëherë mos ia ndaloni vetes, thjesht pijeni në sasinë dhe mënyrën e duhur. Si përfundim mund të themi se:
  • Një sasi e moderuar kafeje mund të përmirësojë humorin dhe energjinë tuaj dhe rrjedhimisht do të rrisë produktivitetin tuaj në punë.
  • Nëse e pini kafenë disa orë pas zgjimit do të keni rezultate më të mira.
  • Një sasi e tepruar kafeje do të jepte efektin e kundërt, duke ju bërë të ndiheni të lodhur dhe nervozë.
  • Nëse ju është bërë zakon të pini kafe por ndërkohë ajo nuk ju bën mirë për shëndetin provoni ta zëvendësoni atë me një çaj mali, të zi ose jeshil.
Duke uruar t’ju ketë bërë mirë kafeja, kalofshi një ditë dhe javë të mbarë!   Përshtatur nga Emi Oga  Burimi: https://www.totaljobs.com/advice/does-your-morning-coffee-make-you-more-productive "Miku juaj për punë dhe karrierë" - duapune.com