Punëkërkues

10 këshilla për punëkërkuesit

Punëkërkues Këshillimi i karrierës
Nëse jeni në kërkim të një pozicioni këto dhjetë këshilla mund t’ju hyjnë në punë:
  1. Mos e shpërndani CV-në tuaj kudo. Ju intereson më shumë vendi i punës apo kompania ku po dërgoni CV-në? Mos dërgoni thjesht një mail në adresën që gjendet në seksionin “Mundësi punësimi”. Kaloni të paktën një orë duke bërë hulumtime (Google mund t’ju ndihmojë!), gjeni persona që punojnë në atë kompani, shikoni nëse keni miq të përbashkët, studiojeni mirë faqen online të asaj kompanie dhe përvetësoni të gjitha informacionet që mund t’ju shërbejnë.
  2. Mbani gjithmonë një CV përditësuar por para se ta dërgoni kujtohuni ta personalizoni. Jepni më shumë detaje mbi një eksperiencë në veçanti ose mbi një trajnim, fokusohuni mbi rezultatet e arritura në një rol të caktuar që keni pasur, bëni ndryshimet e duhura, në varësi kompanisë ku po e dërgoni.
  3. Bëni kujdes me adresën e-mail nga dërgoni cv-në: mos e dërgoni nga adresa e punës ku jeni aktualisht; dhe as nga “bukuroshja85”. Ideale do të ishte një adresë ku të përdorni vetëm emrin dhe mbiemrin tuaj, njw adresw qw tw tregojw profesionalizmin tuaj.
  4. E-maili që shoqëron CV-në është i rëndësishëm; mos përsërisni gjërat që janë në CV, më mirë shkruani cilat janë motivacionet dhe pritjet tuaja. Bëni kujdes me formën e shkrimit. Mos bëni gabime ortografike, asnjëherë mos e nisni e-mailin pa asnjë formë përshëndetje dhe mos e mbyllni pa firmën.
  5. Bëhuni të pranishëm online. Kjo vlen për ata që janë në kërkim të një pune që ka lidhje me web-in dhe komunikimin. Për këtë është e vlefshme dhe një site me informacione të plota dhe të sakta, ku të përdorni mundësisht një domain tuajin, me emër dhe mbiemër. Me siguri transmeton më shumë se një CV i zakonshëm, ndonjëherë mund edhe ta zëvendësojë këtë të fundit. Site-in mund ta zëvendësoni dhe me një blog, i cili gjithsesi rekomandohet shumë, ku të flisni mbi punën tuaj. Ky konsiderohet një prezantim i parë. Edhe mbajtja e një blogu personal ose mbi hobitë tuaja tregon një shenjë interesi për internetin; kini kujdes ama, me ato çfarë shkruani: të tjerët nuk duan të dinë gjithçka mbi jetën tuaj private. Kontrolloni gjithmonë në Google dhe shikoni çfarë  del për ju.
  6. Merruni me rrjetet sociale. Ekzistojnë nga më të ndryshmit, në varësi të asaj me çka merreni. Përgjithësisht, mendoni edhe për LinkedIn; shpenzoni pak kohë dhe fokusohuni tek ato rrjete që frekuentohen më shpesh nga individë të fushës tuaj (ose të asaj fushe ku dëshironi të punoni).
  7. Kërkimi i punës është një proces i tërë, jo thjesht një moment. Investoni në kohë, merrni pjesë aktivisht në forume të sektorit, merrni pjesë në evente dhe mos u izoloni. Në të njëjtën mënyrë, pyesni vazhdimisht veten si janë kompetencat dhe njohuritë tuaja kundrejt mesatares që kërkon tregu, për rolin që ju  intereson.
  8. Përditësohuni vazhdimisht. Shfrytëzoni çdo mundësi trajnimi që ju ofrohet. Nëse punëdhënësi nuk ju jep mundësi të përditësoheni dhe të përmirësoni kompetencat dhe formimin tuaj, bëjeni gjatë kohës së lirë dhe me shpenzimet tuaja.
  9. Regjistrohuni në portale pune (duapune.com për shembull, është mjaft i volitshëm në këtë rast) pasi regjistroheni, informoheni vazhdimisht mbi të rejat më të fundit nga bota e punës.
  10. Kini besim në aftësitë tuaja dhe mos kini frikë nga sfidat. Besimi në vetvete dhe entusiasmi transmetohen dhe tek të tjerët dhe e bëjnë gjithçka më të lehtë!