Postuar më: May 17, 2012
Sa herë ju është dashur të trokisni për të filluar punë, për të ndryshuar punën ku jeni, sepse ndiheni të pakënaqur? Ndodh që shumë prej nesh janë konfuzë. Eliana Mete, drejtuese e një iniciative online e fokusuar tek kërkimet për punë, jep më poshtë dia këshilla lehtësuese, të ndara në dhjetë hapa: 1. Njohja e vetvetes Mënyra më e mirë për të hyrë në rrugën e karrierës që ju përshtatet është duke njohur sa më mirë veten tuaj. Kjo do t’ju ndihmojë për të vlerësuar mundësitë tuaja, për të marrë vendime të qarta dhe për të identifikuar mundësitë më me vlerë.
2. Konsideroni mundësitë tuaja Zbulimi i mundësive profesionale apo të studimit mund të jetë një proces interesant dhe me shumë vlerë. Prandaj, sa më shumë të kërkoni aq më mirë është për ju. Dalloni dhe organizoni mundësitë, duke u bazuar në faktin se sa të vlefshme janë për ju dhe sa do t’ju ndihmojnë të përqendroheni në marrjen e vendimeve të drejta.
3. Arsimimi dhe bota e punës Studimet ju ofrojnë njohuri, trajnim, përvojë, zhvillim personal dhe profesional, duke ju përgatitur për një karrierë të mundshme në fushën që po studioni. Gjatë marrjes në konsideratë të mundësive tuaja është e rëndësishme të kuptoni se cili është formimi juaj, që do t’ju përgatisë për karrierën që dëshironi dhe të siguroheni nëse studimet pasuniversitare plotësuese do t’ju ndihmojnë të siguroni punën e dëshiruar. Bota e punës është e pasur me mundësi të ndryshme. Eksplorojeni atë, duke njohur sektorët më premtues profesionalë, tregun e punës dhe tendencat e fundit të tregut të punës, si dhe perspektivat kombëtare të vendeve të punës. Interesohuni që të kontaktoni me punëdhënësit, të cilët janë në kërkim të punonjësve të rinj!
4. Njohja e faqeve online të punësimit Ka faqe të krijuara posaçërisht për cilindo që është në kërkim të punës, zhvillimit dhe rritjes në karrierë. Nëse jeni duke përfunduar shkollën dhe ende nuk keni ide të qarta, njohuritë e duhura, apo ku dhe si të kërkoni punë për fat ka site që ju ofronjnë gjithçka që ka të bëjë më informomin dhe edukimin tuaj për tregun e punës. Sidomos për studentët dhe ata që janë në prag të diplomimit të marrin edukimin e duhur dhe të përgatiten për të hyrë në tregun e punës. Çdo ditë ju informoheni me vendet e reja të lira të punës, çdo ditë merrni informacionin më të vlefshëm dhe këshillues për mënyrën e veprimit dhe sjelljes para punëdhënësit mbi kompanitë më të mëdha dhe më të njohura në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë dhe më gjerë.
5. Marrja e një vendimi Marrja e një vendimi të vlefshëm del si rezultat i një vlerësimi që duhet bërë, duke krahasuar mundësitë dhe duke marrë parasysh personalitetin, vlerat, interesat dhe pritshmëritë tuaja. Qëllimi përfundimtar për marrjen e një vendimi është të zgjedhësh mundësitë që ju ofrojnë kënaqësi dhe sukses. Parashikoni sfidat e mundshme dhe pengesat që mund t’ju dalin gjatë rrugës dhe përshtatuni me to!
6. Krijoni planin e veprimit Një plan veprimi ndihmon për të përcaktuar qëllimin tuaj, si dhe për të arritur hapat e nevojshme, duke iu bërë ballë sfidave që mund të hasni. Kjo do të jetë e dobishme për planifikimin dhe vazhdimin e studimeve tuaja, për të kërkuar punë apo për të vazhduar zhvillimin tuaj personal. Për secilën nga mundësitë tuaja specifikoni qëllimin, hapat e nevojshme dhe sfidat e mundshme. Rishikimi herë pas here i planit tuaj të veprimit ju ndihmon të përparoni. 7. Planifikimi i kërkimit të punës Përdorimi me efektivitet i mjeteve dhe i strategjive për kërkimin e punës do të rrisë aftësinë tuaj për të ecur me sukses në tregun e punës. Mbledhja e informacionit përkatës, ndërtimi i dokumentacionit të nevojshëm dhe krijimi i rrjetit të kontakteve ju përgatisin që të keni përparësi në intervista pune. 8. Bëni kërkime për tregun e punës Për të studiuar tregun e punës duhet të keni kohë, durim si dhe të bëni planifikimin e duhur. Kërkimi i punës suaj mund të fillojë nga adresa të ndryshme punësimi, mjaft të kërkoni në google ‘dua apo kërkoj punë’, por është shumë e rëndësishme që ju të keni rrjetin tuaj të kontakteve, i cili mund t’ju ndihmojë për të marrë pjesë në intervista pune. Duke vepruar në këtë mënyrë, ju do të keni më shumë dyer të hapura për karrierën tuaj. 9. CV-ja, mjet marketingu CV-ja është një mjet marketingu. Përdoreni me mençuri për të promovuar veten si një punonjës i mundshëm, duke shfaqur aftësitë, prirjet, historinë e punës dhe interesat tuaja. Nuk ka një mënyrë të caktuar për organizimin e informacioneve në CV-në tuaj. Por është e rëndësishme që të përfshini informacione që nxjerrin në pah aftësitë tuaja më të mira. Objektivi kryesor i një CV-je është të siguroni një intervistë pune. CV-ja juaj duhet përshtatur për çdo pozicion pune që ju aplikoni në mënyrë që të tregoni potencialin tuaj me shembuj bindës dhe konkretë.
10. Menaxhimi i suksesit pas fillimit të karrierës Eksplorimi dhe përdorimi i strategjive ju ndihmon të keni sukses dhe të lulëzoni në fushën profesionale. Të qenurit të kënaqur dhe të suksesshëm me karrierën tuaj, kërkon investim të vazhdueshëm hap pas hapi.
Marrë nga Gazeta Shekulli