Postuar më: February 3, 2021
Nga: Edmond Alushi
Orientimi për karrierën i referohet shërbimeve dhe aktiviteteve të dizenjuara për të ndihmuar individët e çdo moshe në çdo etapë të jetës së tyre për të bërë zgjedhjen e tyre sa i takon arsimit, formimit dhe profesionit dhe për të menaxhuar karrierën e tyre. Orientimi për karrierën ka për qëllim të ndihmojë individët të lundrojnë midis mundësive në dispozicion dhe të përdorin aftësitë e tyre në mënyrë optimale.
Factsheet-i "ORIENTIMI PËR KARRIERËN NË SHQIPËRI në mbështetje të qëllimeve më të gjera në lidhje me aspekte që kanë të bëjnë me ekonominë, punësimin, shoqërinë, rininë, arsimin dhe formimin", mbështetur nga ETF, pati si qëllim identifikimin e gjendjes ekzistuese të politikave dhe praktikave në lidhje me orientimin në karrierë, me një fokus të veçantë në arsimin dhe formimin profesional në Shqipëri. Ai gjithashtu synon të informojë politikat dhe praktikat kombëtare dhe aktivitetet e ardhshme të BE dhe ETF.
Detyra ishte të hidhej dritë në lidhje me pyetjet se çfarë përpjekjesh janë bërë për prezantimin e shërbimit të orientimit për karrierë në sistemin e arsimit dhe formimit profesional (me ose pa mbështetjen e donatorëve), çfarë iniciativash janë ndërmarrë, cilat modele janë përdorur dhe si kanë ndikuar këto në rrugëtimin e të rinjve nga arsimi në tregun e punës.
Megjithëse në nivel institucional ka ende punë për t'u bërë në lidhje me orientimin për karrierë, me kënaqësi konstatohet se ka një vizion të përbashkët dhe të pranuar gjerësisht nga aktorët kryesorë në lidhje me rëndësinë e orientimit për karrierë si një shërbim i domosdoshëm dhe kontribut në rrugën e të rinjve për punësim produktiv dhe karrierë të suksesshme. Ndryshimet e fundit ligjore tregojnë qartë gatishmërinë, mbështetjen politike dhe ndryshimin e kulturës drejt orientimit për karrierë.
Mendësia mbizotëruese në lidhje me orientimin për karrierën në nivel organizativ është përputhja e nevojave për aftësi me burimet njerëzore të kualifikuara duke përshtatur ofertën e aftësive me nevojat e ndërmarrjeve në treg. Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive nuk e konsideron orientimin dhe këshillimin për karrierën nga perspektiva e politikave ekonomike. Në vend të kësaj, qasja ka të bëjë me ofrimin e ndihmës dhe orientimin në karrierë për të rinjtë drejt profesioneve që i përshtaten nivelit ose tërësisë së aftësive të tyre ose pajisjen e tyre me aftësi te kërkuara nga tregu.
Për disa vite me radhë, orientimi për karrierën në Shqipëri ka qenë në fokusin e shume projekteve të ndryshme. Ato i kanë dhënë një shtysë orientimit për karrierën përmes kontributit të tyre në mbështetjen e kapaciteteve institucionale, organizative dhe individuale. Specialistët e këshillimit për karrierë janë mbështetur përmes projekteve të donatorëve. Kjo ka kontribuar ne rritjen e reputacionit të punës së tyre dhe ka forcuar qëndrimin për vlerësimin e investimeve në fushën e orientimit për karrierën.