Postuar më: September 22, 2011
Pyetje: Çfarë është manaxhimi i burimeve njerëzore?
Përgjigje:
Përshëndetje, ju falenderojme që na keni shkruar. Konceptet moderne të manaxhimit të burimeve njerëzore nënkuptojnë manaxhimin e kompetencave, kënaqësinë e klientit nga shërbimi dhe përgjegjshmërinë e punonjësve. Sot drejtuesit e burimeve njerëzore janë gjithmonë e me tepër të ndërgjegjshëm se pa joshjen, zhvillimin dhe qëndrimin në punë të më të mirëve, kompania nuk mund të sigurojë satisfaksionin e klientit, pra të sigurojë një zhvillim të vazhdueshëm të saj. Në vendet e zhvilluara perëndimore, menaxhimi i burimeve njerëzore është kthyer në një specialitet kompleks të qëndrueshëm, me procedura specifike të integruara sipas modeleve më të fundit të tregut. Vende të ndryshme aplikojnë dhe modele të ndryshme të menaxhimit të burimeve njerëzore, si ai anglez Investors in People apo atë amerikan Capability Maturity Model – People (CMM-P ).
Të tjerët kanë krijuar ligje që reflektojnë zhvillimin e këtyre koncepteve. Në Francë mund të përmendim disa ligje që kanë të bëjnë me burimet njerëzore si: ligji mbi formimin profesional, ligji mbi tërësinë e kompetencave dhe ligji mbi të drejtën individuale të formimit. Në Shqipëri funksioni i burimeve njerëzore shpeshherë ka qenë i kufizuar në disa aktivitete specifike si: rrogat e punonjësve, pushimet, mungesat e tyre, etj. Këto aktivitete njihen me funksionin e zyrës së “personelit “.
Ndërkohë, koncepti modern i funksionit të burimeve njerëzore mbulon vlerësimin e nevojave strategjike të burimeve njerëzore, identifikimin e kompetencave të përftuara me qëllim realizimin e strategjive dhe vizionin organizativ, menaxhimin e rekrutimit, integrimin e punonjësve, të kuadrove, trajnimin, ngritja në detyrë si dhe vlerësimin e performancës dhe menaxhimin e saj.
Ne mund të themi me siguri që në Shqipëri koncepti modern i menaxhimit të burimeve njerëzore, i konceptuar si në perëndim, është larg aplikimit si i tillë në kompanitë vendase. Me respekt duapune.com