Këshillimi i karrierës

Informacion mbi tregun e punës

Këshillimi i karrierës

Pyetje: Përshëndetje, Jam maturante dhe  duhet të plotësoj formularin A2, edhe pse më ka mbetur pak kohë, ende nuk i kam idetë e qarta se cfarë dege do të zgjedh. Kam 6724 pikë, pra mjaftueshëm për të kapur cdo degë. Jam e lëkundur midis inxhinierisë së ndërtimit, inxhinierisë informatike, informatikës-ekonomike dhe stomatologjisë. Do ju isha vërtet mirënjohëse nëqoftë se më ndihmonit duke më treguar shkurtimisht mendimin tuaj për secilën prej këtyre degëve, duke marr parasysh kërkesat e tregut, mundësinë për punësim (Tiranë ose Korcë), mundësitë për karrierë dhe punësim jashtë shtetit, koha e nevojshme për tu afirmuar në tregun e punës, paga, sa i përshtatshëm është për vajza etj. Si përfundim, do e vlerësoja nëse do të mund të më këshillonit duke më sygjeruar se cilën prej tyre do të ishte mirë të zgjidhja. Shpresoj të më ndihmoni dhe të marr një përgjigje nga ju sa më parë të jetë e mundur. Suksese në punën tuaj.

Përgjigje: Sa i përket pyetjeve të tua të shumta, mund të fillojmë duke të të thënë që askush më mirë se ti nuk mund të bëjë zgjedhjen e duhur për drejtimin që dëshiron.

Është e vërtetë që pikët që ke të lejojnë të zgjedhësh mes disa programeve studimi, por pyetjen e vërtetë duhet t'ia bëni vetes. Kush është pasioni që të udhëheq?

Jo gjithmonë mund të bëhen llogaritë me laps mbi të ardhmen. Kohët e fundit, trendet e tregut të punës në Shqipëri kanë ndryshuar vazhdimisht dhe kush të siguron që s'do të vazhdojnë të ndryshojnë edhe gjatë 5 viteve të ardhshme?

Inxhinieria e ndërtimit është një ndër fakultetet më të mira e më të forta, por aktualisht industria e ndërtimit ka shënuar një ngadalsim për shkak të krizës. Flitet që në të ardhmen do kenë prioritet politikat e infrastrkturës.

Inxhinieria informatike dhe informatika ekonomike janë dy degë me vizion dhe pa dyshim mjaft të suksesshme në të ardhmen. Për më tepër që shumë kompani vendase dhe të huaja preferojnë të punësojnë të rinj të apasionuar dhe me dëshirë për të punuar e për t’u afirmuar.

Stomatologjia është gjithashtu një nga ato degë që të sigurojnë një punësim, por ndoshta në këtë rast do të të duhet pak më shumë kohë për t'u afirmuar, duke patur parasysh specifikën e degës. Në këtë rast, ashtu siç ndodh edhe me inxhinierinë e ndërtimit, duke qenë se bëhet fjalë për "profesione të rregulluara", pas praktikës profesionale bëhet dhe një provim shteti, që zhvillohet jashtë shkollës.

Për të facilituar zgjedhjen tënde mendoj se ia vlen të bësh një hulumtim të shkurtër pranë fakulteteve ku mendon të aplikosh duke marrë disa informacione si psh.

Informacione mbi programin e studimit.

Sa studentë diplomohen mesatarisht në vit dhe sa prej tyre gjejnë punë. Si zhvillohen provimet e lëndëve dhe si administrohen ato. Nëse kreditet që fitohen aty janë të transferueshme brenda ose jashtë vendit.

Informohu mbi pedagoget, kualifikimin e tyre, tekstet mësimore, vizito ambientet mësimore dhe kontakto me zyrën e këshillimit të studentëve, të cilët duhet të të japin një panoramikë më të plotë mbi aspektativat e atij profesioni.

Një ide e mirë mund të ishte dhe kontaktimi e njohja me studentët aktualë të fakulteteve specifike të cilët mund të të shpjegojnë më shumë për aspektet pozitive apo negative të programit të studimeve.

Uroj të të kemi qartësuar sadopak idetë dhe të rikujtoj që në fund je gjithmonë dhe vetëm ti që duhet të jesh e bindur në zgjedhjen tënde. Cilado qoftë zgjedhja jote mos harro se përkushtimi dhe motivimi është çelësi i një karriere të suksesshme.

Gjithë të mirat dhe suksese të mëtejshme. duapune.com