Rreth HRHub Albania

HRHub Albania është një nismë e re e duapune.com, e lindur si nevojë për të adresuar sfidat më të nxehta dhe të ndjeshme, me të cilat përballet tregu i Burimeve Njerëzore në Shqipëri por edhe më gjerë. Kjo nismë do të mbledh rreth vetes drejtuesit e BNJ, ekspertët, drejtuesit e kompanive dhe të gjithë profesionistët të cilët përballen me këto sfida dhe shprehin gatishmëri për të diskutuar dhe bashkëpunuar në lidhje me zgjidhjet e tyre. HRHubAlbania është një hapësirë mendimi, diskutimi dhe bashkëpunimi (think tank) i të gjithë aktorëve që dëshirojnë të kontribuojnë në mënyrë aktive në transformimin modern, agile, dixhital dhe inovativ të rolit të BNJ dhe që e konsiderojnë atë si një nga shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit strategjik të ekonomisë në të gjitha nivelet.

HRHub Albania mundëson organizimin e aktiviteteve dhe trajnimeve tematike me vlerë të shtuar që realizojnë ndarjen e dijeve, praktikave më të mira, rrjetëzimin dhe zhvillimin profesional të pjesëmarrësve, si dhe orientojnë tregun në lidhje me dinamikën e përshtatjes, aftësitë, profesionet dhe cilësitë e kapitalit njerëzor në të ardhmen.

Qëllimi i HRHub Albania është shndërrimi i tij në një pikë takimi ku të gjithë aktorët e BNJ të gjejnë përgjigje, zgjidhje, mendim të thelluar për çështjet e nxehta të menaxhimit të kapitalit njerëzor me të cilat përballemi çdo ditë.


Pse DM Consulting Services dhe duapune.com?

DM Consulting Services, themeluar në 2006 dhe drejtuar nga Eljana Mete dhe Dritan Mezini, është një kompani e specializuar në fushën e transformimit dixhital dhe inovativ, e përqëndruar kryesisht në industrinë e Burimeve Njerëzore, sidomos në atë të rekrutimit, menaxhimit të proceseve të BNJ, sistemet e informacionit, trajnime dhe këshillime për karrierë.

Duapune.com është një nga portalet më të mirënjohura në tregun e punës në Shqipëri, në rajon dhe më gjerë, aktive që në vitin 2009, dhe sot numëron mbi 150K punëkërkues, mbi 125K punëdhënës, e shtrirë në mbi 130 shtete nëpërmjet partnerit ndërkombëtar the-network, me mesatarisht 900 punë të lira aktive çdo ditë.